Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka anuluar tenderin e klasifikuar “Sekret” për shërbimin satelitor të rrjetit Datacom, pasi asnjë nga operatorët pjesëmarrës nuk plotësonte kriteret e kërkuara të sigurisë, mëson skyweb.al.
Procedura kishte një fond limit prej rreth 1 milion euro me TVSH, dhe ishte hapur si procedurë e kufizuar mbi kufirin e lartë monetar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, por Policia ka vendosur anulimin pasi nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme.
Shkaku lidhet drejtpërdrejt me kriteret e sigurisë të kërkuara për një kontratë të këtij niveli.
Policia hap tenderin e radhës SEKRET: 1 milion euro për databazën
Policia sqaron se, pas verifikimeve të kryera nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, rezultoi se operatorët ekonomikë që kishin marrë pjesë në procedurë nuk dispononin Certifikatën e Sigurisë Industriale (CSI).
Pikërisht mungesa e kësaj certifikate bëri që ofertat të mos konsideroheshin të përshtatshme dhe procedura të mbyllej pa fitues.
Datacom është pjesë e infrastrukturës së brendshme të komunikimit dhe transmetimit të të dhënave të Policisë së Shtetit, ndaj kontrata zhvillohej nën klasifikimin “Sekret”. /skyweb.al
















